Programet e reja mësimore për klasën VII

Byroja e Zhvillimit të Arsimit ka hartuar programet mësimore për klasën e shtatë, zbatimi i të cilave do të fillojë në vitin shkollor 2024/25 dhe të njëjtat iu dorëzuan për miratim ministrit të Arsimit dhe Shkencës.

Me programet mësimore për klasën e shtatë vazhdon reforma e arsimit fillor në periudhën e tretë zhvillimore të arsimit fillor. Programet mësimore bazohen në rezultatet e të nxënit nga të cilat rrjedhin standardet specifike të vlerësimit (një qasje e praktikuar në të gjitha sistemet bashkëkohore arsimore), të cilat sigurojnë që nxënësit të fitojnë njohuri, aftësi dhe vlera/qëndrime që janë të nevojshme për të jetuar në shoqërinë bashkëkohore. Këto programe mësimore mbajnë një qasje që siguron pjesëmarrjen aktive të nxënësve në procesin e të mësuarit, e cila lejon zhvillimin e kompetencave të tyre ndaj të nxënit bazuar në të menduarit kritik (lidhjen e duhur të informatave, në vend që thjesht vetëm të kujtohen).

Në takimin me ministrin e Arsimit dhe Shkencës, u theksua se reforma shpie në ndryshime cilësore në të gjitha fushat kryesore të arsimit fillor dhe se programet e reja dhe qasja e re mundësojnë përvetësimin e vazhdueshëm të njohurive dhe aftësive, jo vetëm nga disiplinat që mësohen përmes lëndëve mësimore, por edhe njohuritë dhe aftësitë që janë të nevojshme për përgatitjen e nxënësve për t’u përballur me sfidat e jetës bashkëkohore, përmes prezantimit të përmbajtjeve në fushën e edukimit mediatik, edukimit digjital dhe informatikës, edukimit financiar dhe sipërmarrjen, mbrojtjen e mjedisit, përballjen me korrupsionin, parandalimin e dhunës, etj.

Drejtori i Byrosë së Zhvillimit të Arsimit theksoi kontributin e këshilltarëve të Byrosë, ekspertëve të angazhuar si anëtarë të komisioneve për hartimin dhe harmonizimin e programeve mësimore, profesorët universitar dhe mësimdhënësit e shkollave fillore.