Eko-aksioni kombëtar “Fundjava pastrimit”

Më 9 maj, mijëra orë shkollore në të gjithë vendin u mbajtën në ambiente të hapura. Mbi 34,000 nxënës dhe më shumë se 1,600 mësimdhënës nga shkollat fillore dhe të mesme iu bashkuan eko-aksionit kombëtar “Fundjava e pastrimit”, përmes eksperimenteve praktike, orëve mësimore dhe punëtorive të kushtuara për mbrojtjen e mjedisit dhe ndryshimet klimatike. Përmes mësimeve ekologjike dhe aktiviteteve të pastrimit, nxënësit e shndërruan veprimin mjedisor në të nxënë praktik.

Në shkollën fillore “Llazo Angellovski” në Shkup, drejtoresha e Byrosë së Zhvillimit të Arsimit Millka Trimçevska, përfaqësuesja e UNICEF-it Leslie Miller dhe kryetari i Komunës së Aerodromit Dejan Miteski morën pjesë në aktivitetet shkollore. Në këtë aktivitet morën pjesë këshilltarë në fushën e shkencave natyrore nga Byroja e Zhvillimit të Arsimit, nxënës, mësimdhënës dhe prindër.

Drejtorja e Byrosë së Zhvillimit të Arsimit deklaroi për mediat se integrimi i mbrojtjes së mjedisit në të nxënit e përditshëm është çelësi për përgatitjen e nxënësve për t’u bërë qytetarë të informuar dhe të përgjegjshëm, dhe përmes nismave të tilla, ndërgjegjësimi mjedisor dhe përgjegjësia qytetare promovohen tek fëmijët dhe të rinjtë.

Kjo iniciativë integron edukimin mjedisor në procesin formal të mësimdhënies dhe plotëson reformën e vazhdueshme të Qeverisë për modernizimin dhe transformimin ekologjik të sistemit arsimor. Me mbështetjen e UNICEF-it dhe Suedisë, Byroja e Zhvillimit të Arsimit ka hartuar manuale për mësimdhënësit për edukimin mjedisor që përfshijnë përmbajtje për të nxënit nga përvoja rreth mjedisit dhe ndryshimeve klimatike. Mbi 7000 mësimdhënës morën trajnime dhe burime për t’i përshtatur këto tema në mësimdhënie interaktive.