Кonferenca ‘’Nga vizioni te ndikimi: Bashkëpunimi rajonal për arsim dhe trajnim cilësor’’

Më 13 dhe 14 mars, në Beograd, Republika e Serbisë, u mbajt një konferencë me temë “Nga vizioni te ndikimi: Bashkëpunimi rajonal për arsim dhe trajnim cilësor”, si pjesë e Projektit për Përmirësimin e cilësisë së arsimit dhe trajnimit, të organizuar nga Iniciativa për Reformën në arsim në Evropën Juglindore (ERI SEE).

Në konferencë mori pjesë u.d. drejtoresha e Byrosë së Zhvillimit të Arsimit, mr. Millka Trimçevska, së bashku me punonjës të tjerë të Byrosë së Zhvillimit të Arsimit dhe Qendrës për Zhvillimin e Arsimit Profesional. Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues të lartë nga ministritë dhe profesionistë të tjerë nga institucionet arsimore nga vendet e rajonit.

Në konferencë, theks i veçantë iu kushtua prezantimit të rezultateve të projektit në kuadër të komponentit të arsimit dhe trajnimit të mesëm profesional dhe komponentit të sigurimit të cilësisë në arsim. Ekspertët e fushës folën gjithashtu për mbështetjen e aspekteve mjedisore, sociale dhe gjinore dhe sigurimin e cilësisë përmes iniciativave dhe botimeve rajonale. Gjithashtu, u zhvilluan diskutime në panel me partnerët dhe pjesëmarrësit e projektit, ku u diskutuan përfitimet e komponentëve të projektit dhe ndikimi i tyre në zhvillimin e sistemeve kombëtare të arsimit.

Një pjesë e rëndësishme e konferencës ishin diskutimet mbi sfidat dhe hapat e mëtejshëm për përmirësimin e arsimit dhe sigurimin e cilësisë, si dhe shkëmbimi i informacionit mbi situatën aktuale në sistemet arsimore dhe ndarja e ideve mbi fushat me interes për bashkëpunim të ardhshëm midis vendeve në rajon.